Kurrizin unë i ktheva shpejt veriut
Kurrizin unë i ktheva
shpejt veriut.
Kam para diellin,
qiellin tok me det,
Kam Moln' e Robit,
Malin e Njeriut,
Dhe prapa tij
një mall e një qytet.
Më vjen ndër mend
ai çast në vegjëli,
Kur prapa malit
krejt e xixëlluar
Një fashë ergjendi
bredh në kaltërsi
Dhe ik nga ne me vrap,
me t'iu afruar.
Më kot nga deti
unë e hedh vështrimin,
Më kot të mbushem pres
me kaltërsi,
E humbën det e qiell
krejt shkëlqimin,
Gëzim s'më japin
si në vegjëli.
Mbyll sytë me kurrizin
drejt veriut
Dhe xixat shoh
pas malit të Njeriut.
Durrës, tetor 1991